21 Dhjetor 2024

SHBA: Nëse Rusia përdor armë bërthamore, pasojat do të jenë të rënda

Washington, 25 tetor - Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se nëse Rusia përdor armë bërthamore në Ukrainë çmimi do të jetë i rëndë dhe se pretendimet që Ukraina po përgatitet të përdorë "bombë të pistë" me përmbajtje radioaktive në territoret e veta janë dezinformim.

"Jemi të shqetësuar që dëgjojmë dezinformime të tilla të hapura që përhapen nga Kremlini. Ne e dimë të kaluarën e Kremlinit kur bëhet fjalë për pretendime të tilla", tha Price në një konferencë të përditshme për shtyp.

Ministri i Jashtëm ukrainas ka biseduar me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Raphael Grossi dhe i ka bërë thirrje atij që të inspektojnë komplekset në vendin e tij, rikujtoi Price, i cili më tej bëri të ditur se edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të bisedojë sot me Grossi-n dhe se kjo çështje është në agjendën e tyre.

Price theksoi se Rusisë ia kanë bërë të qartë se çdo justifikim që do bëjë do të jetë një gjë e sajuar për të përshkallëzuar tensionin, se ata nuk shohin ndonjë shenjë që Rusia do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë dhe sipas tij nuk shohin ndonjë arsye që SHBA-ja të ndryshojë qasjen ndaj pozicionimit të armëve bërthamore.

"Përdorimi i armëve bërthamore në çdo mënyrë nga Rusia do të ketë pasoja të rënda", tha Price.

Ndërsa ndaj pyetjes se çfarë do të jenë këto pasoja të rënda, Price theksoi se kanë paralajmëruar Rusinë me shprehje më të qarta dhe më të prera, por që nuk preferojnë të ndajnë me opinionin publik hapat që do ndërmarrin.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, në bisedat telefonike të zhvilluara dje me homologët e tij të Türkiye-s, SHBA-së, Francës dhe Britanisë, Shoygu theksoi se "Ukraina po bën përgatitje për të përdorur 'bombë të pistë'".

Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë dhe Francës në një deklaratë të përbashkët pas bisedave, hodhën poshtë pretendimet e Rusisë dhe njoftuan se nuk do të pranojnë justifikimet që do të përdoren për të rritur tensionet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)