31 Mars 2023

Presidentja Osmani takon presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz

Pragë, 6 tetor - Pesidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falenderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut.

Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani potencoi nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, ndaj ka kërkuar që mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike të vazhdojë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023

- Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, mbanë konferencë për media. (MAShTI, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së,  ora 12:30)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)