Osmani u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Ármannsson
Në takim me Kryetarin e Kuvendit Ármannsson, Presidentja Osmani ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.
Në këtë frymë, Presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën.
Presidentja Osmani dhe Kryetari i Kuvendit Ármannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Tutje, Presidentja Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja ka thënë se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Kryetari i Kuvendit Ármannsson e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Islanda është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona.