NATO dërgon përforcime në Evropën lindore, SHBA vë 8,500 trupa në gatishmëri
Bruksel, 25 janar - NATO-ja ka bërë të ditur se ka vënë në gjendje gatishmërie trupat e saj dhe po dërgon anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërkohë që Pentagoni tha se ka vënë deri në 8,500 trupa në gatishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë, nëse aleanca e NATO-s aktivizon një forcë të reagimit të shpejtë.
Njoftimi nga Pentagoni, i bërë i ditur nga zëdhënësi John Kirby, është sinjali më i fundit i vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara në kushtet e grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Zoti Kirby qartësoi se ende nuk ishte marrë një vendim nëse do të dërgoheshin trupat.
NATO-ja denoncoi Rusinë për përshkallëzim të tensioneve në lidhje me krizën në Ukrainë. Zyrtarët e NATO-s gjithashtu thanë se aleanca mund të dërgonte trupa shtesë në krahun e saj juglindor.
Duke përshëndetur një sërë dislokimesh të njoftuara nga anëtarët e aleancës ditët e fundit, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se aleanca e NATO-s do të marrë "të gjitha masat e nevojshme".
Vendimi është një shenjë e mëtejshme se Perëndimi po përgatitet për një sulm të Rusisë mbi fqinjin e saj, pasi Moska grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën.
"Ne gjithmonë do t'i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive", tha zoti Stoltenberg përmes një deklarate.
Ai më vonë tha në një konferencë shtypi se aleanca e NATO-s mund të dërgojë përforcime shtesë në rajon.
"Ne po shqyrtojmë gjithashtu dërgimin e njësive të tjera luftarake... në juglindje të aleancës", tha zoti Stoltenberg.
NATO-ja tani ka rreth 4,000 trupa në batalione shumëkombëshe të dislokuara në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, të mbështetura me tanke, njësi të mbrojtjes ajrore dhe njësi të inteligjencës dhe survejimit.
Rusia ka mohuar akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës. Por, pasi shkaktoi krizën duke e rrethuar Ukrainën me forca nga veriu, lindja dhe jugu, Moska tani po përdor reagimin e Perëndimit si provë për të mbështetur argumentin e saj se Rusia është vënë në shënjestër dhe nuk është ajo që nxit agresionin.
Zyrtarët amerikanë thanë se Pentagoni po përfundonte përpjekjet për të identifikuar njësi specifike që mund të dislokonte në krahun lindor të NATO-s.
Një zyrtar amerikanë tha se deri në 5,000 trupa mund të dislokohen, ndërsa një diplomat i NATO-s tha se Uashingtoni po shqyrtonte transferimin gradual të një pjese të trupave amerikane nga Evropa Perëndimore në atë Lindore në javët e ardhshme.
Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë një video-konferencë me udhëheqësit evropianë më vonë të hënën, si pjesë e koordinimit me aleatët për t'iu përgjigjur grumbullimit të forcave të Rusisë në kufijtë e Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë.
Danimarka, Spanja, Franca dhe Holanda po planifikojnë ose po shqyrtojnë dërgimin e trupave, avionëve dhe anijeve ushtarake në Evropën Lindore, tha NATO-ja. Ukraina ndan kufijtë me katër vende të NATO-s: Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Rumaninë.
Një zyrtar polak tha se Varshava nuk do të dërgonte trupa në Ukrainë.
E shqetësuar për situatën, Britania tha se po tërhiqte një pjesë të personelit nga ambasada e saj në Ukrainë, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin urdhëruar anëtarët e familjeve të diplomatëve të largoheshin. Diplomatët amerikanë po lejohen gjithashtu të largohen vullnetarisht.