Mbi 7200 të vdekur nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë
Ankara, 7 shkurt - Ekipet e shpëtimit po luftojnë me kohën në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura pas termetit të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 7200 personave.
Vende të shumta kanë dërguar ekipe për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit. Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive tha se mbi se 24 mijë e 400 persona ndodhen në terren, një numër i pamjaftueshëm për të mbuluar thirrjet për ndihmë në të gjitha zonat e goditura.
Përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuariit u penguan edhe nga temperaturat nën zero dhe mbi 280 pasgoditjet e tërmetit.
Tërmeti me magnitudë 7.8 – më vdekjeprurësi në Turqi nga viti 1999 - u pasua me një tërmet të dytë, po aq të fuqishëm, me magnitutë 7.5 dhe disa pasgoditje të tjera.
Mijëra njerëz humbën jetën ose u plagosën në disa qytete turke dhe siriane.
Ndërtesa banimi, spitale dhe shkolla janë rrafshuar, ndërsa një numër i madh njerëzish kanë mbetur pa strehë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se mijëra fëmijë mund të jenë në mesin e viktimave të tërmetit.
Moti i keq po pengon përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe dërgimin e ndihmave në zonat e goditura, duke e bërë edhe më të mjerueshme gjendjen e të mbijetuarve.
Shumë zona kanë mbetur pa karburant dhe energji elektrike.
"Siç mund ta shihni, këtu po qëndron një trup i pajetë. Ai vdiq por askush nuk e largoi trupin e tij. Nga poshtë po dëgjohet zëri i një gruaje që thërret për ndihmë”, thotë ky banor i qytetit Hataj në Turqi.
"Po dëgjojmë zërat e tyre duke kërkuar ndihmë. Ata kërkojnë shpëtim. Ne nuk mund t’i ndihmojmë. Si t’i shpëtojmë? Askush nuk erdhi për ta. Askush”, thotë Deniz, një banor tjetër.
"Të afërmit tanë kanë vdekur. Më vdiq vajza e motrës. Ajo ishte 17 vjeçe. Fëmijët e kunatës sime janë bllokuar nën rrënoja. Ajo është atje me tre fëmijë. Ende nuk janë shpëtuar. Zot të lutem na ndihmo. Lutuni për ne. Për shkak të pasgoditjeve nuk dihet se çfarë do të ndodhë me ne”, thotë Cennet Inal.
Autoritetet turke thanë se rreth 13.5 milionë njerëz janë prekur nga pasojat e tërmetit.
Siria ka regjistruar vdekje deri në qytetin Hama, rreth 100 kilometra larg epiqendrës së tërmetit.
Ekipet siriane të shpëtimit, një vend që ndodhet në një krizë të thellë humanitare pas gati 12 vitesh luftë civile, po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së pajisjeve të duhura për kërkimin e të mbijetuarve.
“Është luftë me kohën. Çdo minutë, çdo orë që kalon, shanset për gjetjen e të mbiijetuarve zvogëlohen”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësiisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqisve në Turqi tha se 5 mijë e 775 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti që u pasua me 285 pasgoditje dhe se 20 mijë e 426 njerëz janë lënduar.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti amerikan Joe Biden bisedoi me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për të shprehur ngushëllime. Me këtë rast ai tha se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me çdo gjë që është e nevojshme.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara kanë një qeveri partnere në Turqi, ndërsa Siria do të ndihmohet përmes një organizate humanitare.
“Jemi të përkushtuar të bëjmë atë që mundemi në të dyja anët e kufirit, për të ndihmuar aleatët tanë turq në përpjekjet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes. Kjo do të fillojë së shpejti me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve më të gjera të reagimit. E njëjta gjë vlen edhe për anën tjetër të kufirit. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që mundemi për të plotësuar nevojat humaniitare të popullit sirian”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi ndihmë humanitare në fillim të një takimi të Asamblesë së Përgjithshme mbi përparësitë e vitit 2023.
“Le të punojmë së bashku në solidaritet, për të ndihmuar ata që u goditën nga kjo fatkeqësi, shumë prej të cilëve kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare”, tha ai.
Presidenti Erdogan shpalli shtatë ditë zie kombëtare në Turqi dhe deklaroi gjendje emergjente në 10 provinca.