Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuqiq takohen sot në Bruksel
Kurti dhe Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.
I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.
Të tre liderët i kanë bërë këto deklarata në një letër nisur kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Edhe Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi gjatë fundjavës në telefon me udhëheqësit e të dyja vendeve duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin dhe pritjet që palët të kenë qasje konstruktive dhe të angazhohen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.