21 Dhjetor 2024

Kriza në veriun e Kosovës më e rënda dhe më e rrezikshmja që nga viti 2013

Bruksel, 14 nëntor - Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josef Borrell tha të hënën se ka thirrur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për të filluar dialogun në gjetjen e një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, që sipas tij, paraqet krizën më të rrezikshme që nga viti 2013.

Ai i bëri këto komente pas takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian përgjatë punimeve të të cilit është diskutuar për Ballkanin Perëndimor, me theks të posaçëm në situatën në veriun e Kosovës.

“Pala e Kosovës vjen sonte, jam i gatshëm të bisedoj me udhëheqësit, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike të çështjes së targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë pa një marrëveshje, ose do të jemi në prag të situatës së rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve nga institucionet në veri nga policia, gjyqësori, nga kryetarët e komunave ka krijuar një boshllëk dhe në këtë situatë më e keqja mund të ndodhë, pra të dyja palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet”, tha zoti Borrell.

Ai tha se shtetet evropiane në Këshill kanë qenë të qartë dhe kërkojnë përparim të qartë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione të Kosovës, autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, tha ai duke nënvizuar se kriza të tilla e kanë shtyrë Bashkimin Evropina të dal me një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Propozimin që kemi paraqitur dhe Franca e Gjermania kanë qenë mbështetës për këtë propozim, i ashtuquajturi propozimi franko-gjerman është në fakt mbështetje franko-gjermane për propozimin e paraqitur nga unë dhe Miroslav Lajçak, është propozim evropian”, tha zoti Borrell.

“Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë vazhdimisht me menaxhim të krizave, nga një krizë te tjetra, duke zgjidhur krizën dhe duke pritur për krizën e ardhshme qofshin targat apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duhet të vazhdojmë me një qasje më strukturore duke kërkuar çështje më të thella dhe duke provuar që të parandalojmë krizat. Këto janë hapa para, një qasje e re. Dua të them se të dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo do të thotë shumë”, tha zoti Borrell.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)