29 Maj 2023

Kosova është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër

Podgoricë, 20 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Mal të Zi, pasi që mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti,Jakov Milatović, ka zhvilluar në Podgoricë një takim me të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin  e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.  

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes.

Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)