22 Mars 2023

Kosova dhe Serbia pritet të bien dakord për rezultatin përfundimtar të bisedimeve

Ohër, 18 mars - Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen me çdo kusht që takimi i Ohrit të japë rezultatet e shpresuara, duke e theksuar në më shumë se një rast se ky mund të jetë treni i fundit për të dyja palët dhe se një propozim më të mirë se plan franko-gjerman nuk do të ketë.

Të pranishëm në përballjen e Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç janë edhe ndërmjetësuesi i takimit, shefi politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e në cilësinë e vëzhguesit merr pjesë dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në tryezën e diskutimeve gjendet udhërrëfyesi i zbatimit të propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, I cili në parim është pranuar nga palët gjatë takimit të Brukselit.

Borell sqaroi se janë marrë parasysh komentet e Kosovës dhe të Serbisë në lidhje me këtë aneks, dhe në bazë të tyre do të krijohet “një variant më i konsoliduar ” i dokumentit.

“Shpresoj që në këtë pikë, Prishtina dhe Beogradi do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të bisedimeve”, u shpreh ai. Bashkimi Europian e publikoi në 27 shkurt tekstin e plotë të propozimit, i cili përmban 11 pika.

Propozimi i BE-së nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.

Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)