Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat
Bruksel, 23 nëntor - Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia - nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian - kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.
Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrim të makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
"Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve", ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.
Pas arritjes së marrëveshjes Kosovë - Serbi për çështje e targave, ka reaguar edhe Zëvëndëskryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryenegociator, Besnik Bislimi.
Në një postim në Twitter, theksoi se pas marrëveshjes së sotme, duhet të vazhdojnë bisedimet intensive.
“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive mbi propozimin e Bashkimit Evropian, mbështetur nga Gjermania e Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, shkroi Bislimi.