29 Mars 2023

Escobar kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit

Washington, 5 gusht - I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa shfaqi shpresën se takimi i radhës në nivelin më të lartë politikë ndërmjet të dyja vendeve, do të krijojë mundësi për një përparim të gjerë në bisedime.

Ai i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në internet, disa ditë pasi që tensionet shpërthyen në veriun e Kosovës për shkak të vendimit të qeverisë për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Sipas vendimit të qeverisë makinat që kanë targa të lëshuara nga Serbia duhet të pajisen me targa të Kosovës dhe personat që hyjnë në Kosovë me dokumente serbe t'i zëvendësojnë ato me një dokument të përkohshëm, njësoj sikundër veprohet në Serbi me qytetarët e Kosovës.

Më kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për 1 shtator zbatimin e masave.

“Nuk do thosha se është thjeshtë një shtyrje, do të thosha se është një mundësi për të gjetur zgjidhje që do të ndihmonte integrimin dhe qëndrueshmërinë rajonale”, tha Escobar.

Shtetet e Bashkuara thonë se vendimet e qeverisë janë në harmoni me marrëveshjet e Brukselit, i cili ka ftuar për 18 gusht në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar zgjidhjet që do të shmangin tensionet si ato të së dielës.

“Në të njëjtën kohe në shpresojmë për diskutime më të gjera se si të dyja vendet mund të ecin përpara për të krijuar mundësi për marrëdhënie më të mira, për integrim në Evropë. Mendoj që ky muaj do të krijojë mundësi për të përparuar në më shumë gjera jo vetëm në çështjen e targave”, tha Escobar.

Escobar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tille tha ai është diskutuar edhe në takimin e presidentes dhe kryeministrit të Kosovës me Sekretarin e Shtetit Antony Blinkën.

“Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", tha Escobar, sipas të cilit ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.

Serbia ngulë këmbë në themelimin e asociacionit për të cilin autoritetet në Kosovë thonë se bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe Serbia përmes tij synon të dëmtojë shtetësinë e Kosovës, që nuk e njeh.

“Për ne, çështja e Kosovës nuk është një çështje e hapur. Ne e njohim plotësisht Kosovën si vend të pavarur, sovran dhe partner të ngushtë. Aspiratat tona për Kosovën janë po ato që janë të popullit të saj, që ajo të jetë e njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të ketë liberalizimin e vizave menjëherë dhe qe dera të jetë e hapur në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha zoti Escobar.

Por, ai tha se një e ardhme e tillë hapet përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian qëllimi i të cilave është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është para duarsh.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të zhdukurit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari Blinken u tha presidentes (Vjosa Osmani) dhe kryeministrit të Kosovës (Albin Kurti) kur ishin në Shtetet e Bashkuara, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin", tha zoti Escobar.

Tensionet e fundit në veriun e Kosovës nxitën vlerësimin e analistëve se pas tyre fshihet edhe Rusia, që siç thonë ata, me përpjekjet për të destabilizuar rajonin, synon të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

Escobar tha se me përjashtime të vogla, çfarë ndodhë në Ballkan është rezultat i faktorëve nga Ballkani. Në këtë kuadër ai paralajmëroi kundër retorikës nxitëse nga përfaqësuesit politikë në Bosnjë e Hercegovinë ku siç tha, pret që të mbahen zgjedhje të lira më vonë gjatë këtij viti.

Diplomati amerikan u zotua të mbështes Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në zbatimin e reformave që do të përshpejtonin rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, pasi këto dy shtete hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në bllok.

Ndërsa në Malin e Zi, tha ai, Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo qeveri që përqafon vlerat e Bashkimit Evropian dhe është e përkushtuar ndaj NATO-s.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)