Blinken dënon dhunën e protestuesve, bën thirrje të ulin tensionet
Washington, 31 maj - Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken përsëri u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan "të papranueshme".
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve", ka thënë Blinken.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale sipas Blinken përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme.
Ai thekson se Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.
"Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e Sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken.