BE rrit me 500 milionë euro ndihmën ushtarake për Ukrainën
Bruksel, 24 janar - Ministrat e Jashtëm të BE-së bien dakord për ndihma të mëtejshme ushtarake për Ukrainën. Varshava do t’i kërkojë zyrtarisht Berlinit miratim për transferimin nga arsenali i saj i tankeve gjermane ‘Leoprad‘ në Ukrainë.
Bashkimi Europian sërish e ka shtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan (23.01.2023) në Bruksel një ndihmë të mëtejshme prej 500 milionë eurosh, përmes së cilës do të financohen blerjet e përbashkëta të armëve dhe municionit, bëjnë të ditur diplomatët.
Kësisoj që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës shuma e vënë në dispozicion arrin në 3,6 miliardë euro.
Këto para dalin nga një fond i posaçëm në buxhetin e BE-së, i ashtuquajturi fond për facilitetin e paqes, në të cilin Gjermania si ekonomia më e madhe në grupin e 27 vendeve financon rreth një të pestën e fondit.
Përveç kësaj ministri i Jashtëm Ukrainas Dmytro Kuleba i lidhur përmes video-konferencës u ka kërkuar homologëve të tij në BE tanke, sanksione të mëtejshme kundër rusëve dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, sikurse shkruan ai vet në rrjetin e komunikimit Twitter.
“Ne na duhen hapa të guximshëm e me vendosmëri, për të siguruar fitoren e Ukrainës më 2023”, thekson ai.