BE nis procesin për liberalizimin e vizave me Kosovën
Bruksel, 13 tetor - Këshilli i Bashkimit Evropian tha të enjten pasdite se grupi punues për vizat ka zhvilluar diskutimin e parë mbi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se “përgjithësisht e ka mbështetur liberalizimin”, por “në mënyrë që të arrihet përparim në këtë çështje, do të jetë e nevojshme të qartësohen një numër temash të ndërlidhura me këtë proces dhe të vazhdohen diskutimet”, thuhet në një njoftim për media.
Diskutimi i së enjtes, me dyer të mbyllura, u zhvillua dhjetë vjet pasi Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje.
Gjashtë vjet pas udhërrëfyesit, në vitin 2018 Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Të mërkurën Komisioni Evropian ritheksoi këtë rekomandim gjatë paraqitjes së raportit të zgjerimit.
“Lidhur me liberalizimin e vizave, Komisioni mbështet vlerësimet e muajit qershor të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Propozimi mbetet ende peng në Këshill siç e dini dhe ne e mirëpresim faktin që diskutimet do të rihapen. Ne po i mbështesim këto diskutime me një përditësim teknik të vlerësimeve tona”, tha të mërkurën në Bruksel komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Diskutimet e hapura sot paraqesin fillimin e një morie procedurash dhe votimesh brenda strukturave të Bashkimit Evropian. Nëse do të arrihet pajtim, çështja i kalon ambasadorëve te vendeve anëtare, pas të cilëve do të hapej rruga për diskutimin ndërmjet tri institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit.
Nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian nuk pritet të ketë ndonjë pengesë dhe nëse do të ketë pajtim edhe në këtë diskutim trepalësh, ai ka gjasë të konfirmohet nga ambasadorët formalisht në muajin nëntor.
Vendimi hidhet më pas për votim në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj ministrat e vendeve anëtare në Këshillin Evropian duhet ta konfirmojnë vendimin. Me këtë do t’i hapej rrugë hapit të fundit, që është botimi i vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, me ç’rast caktohet edhe data e hyrjes në fuqi të vendimit.