BE-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit
Bruksel, 20 tetor - Vendet e Bashkimit Evropian (BE) morën vendim për sanksione të reja ndaj Iranit me arsyen se i ka dërguar Rusisë mjete ajrore pa pilot (dronë) për t'u përdorur në luftën në Ukrainë.
Në një deklaratë nga presidenca e BE-së e drejtuar nga Çekia, thuhet se sanksionet do të zbatohen për shkak se mjetet ajrore pa pilot janë përdorur në goditjet ndaj Ukrainës.
Në kuadër të vendimit të ri, sanksionet janë vendosur ndaj tre individëve dhe një institucioni të Iranit. Po ashtu janë zgjatur edhe sanksionet e zbatuara ndaj katër institucioneve të Iranit që ishin përfshirë në listën e sanksioneve më parë.
Në gazetën Zyrtare të BE-së, u njoftua se personat e shtuar në listën e re të sanksioneve janë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, gjeneral major Mohammad Bagheri, kreu i Njësisë së Kërkimit dhe Marrëdhënieve Industriale të Ministrisë së Mbrojtjes iraniane, gjenerali Sayed Qureishi, dhe komandanti i Mjeteve Ajrore pa Pilot i Forcave të Hapësirës Ajrore të Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit, gjeneral brigade Saeed Aghajani.
Ndërkaq, institucioni i përfshirë në listën e sanksioneve është kompania e Industrisë së Aviacionit Shahed e cila prodhon mjetet ajrore pa pilot.
Sanksionet e BE-së përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalesën e udhëtimit dhe financimit. Sanksionet hynë në fuqi pasi u publikuan sot në Gazetën Zyrtare të BE-së.