Bandat në veri të Kosovës po paguhen e armatosen me armë nga Serbia
Londër, 30 maj - Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Në llogarinë e saj në Twitter, Kearns ka thënë se Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri. Ajo po ashtu përmendi shkrimin e New York Times që përmend Vuçiçin si simbol i krimit dhe korrupsionit në Serbi.
“Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiçin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.
Ndryshe, Kearns edhe ditë më parë reagoi ndaj situatës në veri.
Kearns ka kritikuar ndërkombëtarët në lidhje me deklaratat e tyre kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës.
“Aktorët ndërkombëtarë duhet të ndalojnë së sulmuari zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike që të vendosen në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.
“Për më tepër kur ata qëndrojnë të heshtur përballë militantëve e mbështetur dhe të armatosur serb, të cilët vazhdojnë të minojnë stabilitetin në veri të Kosovës”, ka shkruar tutje Kearns.
Kearns ka qenë zë i fuqishëm edhe për çështjen e Asociacionit, duke thënë se Britania e Madhe nuk do të mbështesë formimin e Republika Srpska në Kosovë.