Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO
Shkup, 12 dhjetor - Në vazhdën e vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u prit në një takim të veçantë nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit konkluduan se marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, janë vlerë ë veçantë për të dyja vendet dhe kanë ndikim pozitiv në rrugën e përbashkët euro-integruese.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i konsideroi vizitat e ndërsjella mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve dhe për të konkretizuar më tej ato në segmente të veçanta.
Kryetari Konjufca dhe presidenti Pendarovski ndanë pikëpamje të njëjta se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO, meqë një hap i tillë nuk do të linte hapësira destabilizimi në rajonin tonë. â