Vendoset gurthemeli i çerdhes së katërt brenda muajit tetor
Prishtinë, 27 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të edhe një çerdheje të re, kësaj radhe në Prishtinë.
“Arsimin e kemi prioritet e veçanërisht zhvillimin e edukimit të hershëm. Edukimi parashkollor është tejet i rëndësishëm për suksesin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimimin e mëtutjeshëm dhe në jetën e tyre sidomos profesionale”, tha Kryeministri Kurti dhe shtoi se investimet si ky sot e tjerat që do të vijnë, janë të nevojshme dhe shumë të mirëpritura për vendin dhe për shoqërinë tonë.
Ai tha se është shumë i lumtur, që kësaj lagje të Prishtinës dhe Prishtinës si kryeqytet, po i shtohet një çerdhe e re. Qytetit tonë i japin jetë e gjallëri njerëzit e saj e veçanërisht vogëlushët tanë dhe përkushtimi dhe angazhimi ynë e i secilit prej nesh duhet të jetë për ta e sidomos për ta, shtoi kryeministri.
Çerdhja, që po i fillon punimet sot, do të jetë me sipërfaqe 1300 metra katrorë dhe do të akomodojë 120 fëmijë të kryeqytetit. Ndërtesa dykatëshe do të ketë pesë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësirën teknike. Investimi ka vlerën 743 mijë euro.
Gjatë muajit tetor u vendosën gurthemelet e katër çerdheve në Miresh të Gjilanit, Ponoshec të Gjakovës dhe në Gjakovë, dhe sot në Prishtinë, ndërkaq në radhë planifikohet të jetë vendosja e gurthemelit të çerdhes në Podujevë, për të vazhduar pastaj me punime edhe në komuna të tjera, si në Prizren, Suharekë, Obiliq, Skenderaj, Pejë, Ferizaj, Shtime e Malishevë.