29 Maj 2023

USAID mbështet partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë

Prishtinë, 24 prill - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, së bashku me Zeinah Salahi, drejtoreshë e Misionit të USAID-it, do të marrin pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjeve të Mirëkuptimit për nisjen e aktivitetit të mbështetur nga USAID-i të Partneritetit me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë.

Marrëveshjet do të nënshkruhen ndërmjet Universitetit të Ajovës (Iowa) dhe Universitetit të Pejës „Haxhi Zeka”, Universitetit të Prizrenit „Ukshin Hoti” dhe Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina”.

Aktiviteti ‘Partneriteti i USAID-it me sektorin privat për forcimin e arsimit të lartë’ është angazhim pesëvjeçar që synon rritjen e cilësisë dhe produktivitetit të ndërveprimit ndërmjet industrisë dhe universiteteve publike në Kosovë në sektorët e Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit (TIK) dhe të bujqësisë.

Aktiviteti do të udhëhiqet nga Konsorciumi i Ajovës, me në krye Universitetin e Ajovës, në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Ajovës dhe Qendrën për Arsim të Kosovës (QAK), në partneritet me Universitetin „Haxhi Zeka” në Pejë, Universitetin „Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)