29 Mars 2023

Shpërndahen tekstet mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës se Preshevës

Preshevë, 5 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mundësuar pajisjen me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencave, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shpërndanë tekstet mësimore për nxënësit në shkollat fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ në fshatin Tërnoc i Madh në Bujanoc dhe ‘’Zenel Hajdini’’ në fshatin Raincë në Preshevë.

‘’Është e rëndësishme që ajo çfarë ka munguar më herët në fushën e arsimit, si furnizimi me tekstet mësimore në gjuhën shqipe, të mos mungojë për brezat e ardhshëm dhe të kenë tekstet në gjuhën e tyre’’, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Bislimi dhe znj. Nagavci shprehën kënaqësinë e veçantë të ndarjes së këtyre teksteve për herë të parë në Luginën e Preshevës. Drejtorët e këtyre shkollave i mirëpritën dhe shprehën mirënjohje për këtë iniciativë të Qeverisë dhe vlerësuan lartë kontributin e dhënë. Nga to, u pranuan dhurata simbolike, si libra dhe literaturë në gjuhën shqipe, të shkruar nga autorë nga Lugina e Preshevës.

Vlera e vënë në dispozicion për sigurimin e teksteve kap shifrën e 255 mijë eurove. Në këto vizita, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministrja Nagavci u shoqëruan nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)