21 Dhjetor 2024

Senati t'i përjashtojë nga Universiteti plagjiatorët Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin

Prishtinë, 14 korrik - Sot ORCA ka dorëzuar ankesën për Senatin e Universitetit të Prishtinës (si shkalla e parë ankimuese) mbi vendimin e Këshillit të Etikës (të datës 16.06.2022) për plagjiaturën e profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA kërkon që dy profesorëve të ju hiqet titulli akademik i fituar përmes plagjiaturës, si dhe të përjashtohen nga universiteti.

Vendimi i Këshillit të Etikës thotë që dy profesorët kanë bërë shkelje të rëndë të të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore, si dhe kanë shkelur standardet e ndershmërisë intelektuale. Për këto shkelje të rënda, Këshilli i Etikës ka propozuar masa qesharake.

Dy profesorëve i është dhënë vendimi që: artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. E për profesor Dugollin kanë vendosur që t’i ndalohet mentorimi i temave të diplomës në nivelet master dhe doktoratë për 2 vite, e profesor Kastratit t’i ndalohet mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vite.

Vendimi ia ndalon profesorëve shfrytëzimin e punimit (tashmë plagjiat) për avancim akademik. Kjo masë është nul dhe si e tillë nuk mund të konsumohet. Profesorët tashmë e kanë shfrytëzuar këtë punim për avancim akademik, dhe për më tepër profesor Dugolli veçse e ka titullin më të lartë akademik dhe kontratën e përjetshme me universitetin.

Vendimi po ashtu referohet mbi Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, ku thuhet që mund të merret masa “mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një (1) vit vijues” pasi që shkelja është kategorizuar si e rëndë.

Vendimi  i marrë nga Këshilli i Etikës është i pabazuar, ngase masa specifikon elementin e mohimit të përfshirjes në të gjitha nivelet: “për një (1) vit”. Vendimi specifikon “mohimin e përfshirjes në mentorim në të  gjitha nivelet” dhe si kohështrirje “tre vite”.

Këshilli i Etikës duke mos pasur mundësi t’i ikte kategorizimit si shkelje e rëndë , ka vendosur të caktojë masën më të lehtë të mundshme nga ky kategorizim, por gjoja duke e “përforcuar” masën e dhënë duke e zgjatur kohën e masës ndëshkimore pa bazë juridike.

Vendimi për mos mentorimin e temave të diplomës për kohë të caktuar nuk është proporcional, si rrjedhojë nuk preventon përsëritjen e veprimit nga anëtarë të tjerë të stafit akademik, përkundrazi është ftesë masive për plagjiaturë. Sipas parimit të përfitimit më të madh secili anëtar i stafit akademik në universitete publike do ta “sakrifikonte” mentorimin e diplomave për tre vite në këmbim të një titulli më të lartë akademik të fituar përmes plagjiaturës.

Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara nga plagjiatura.

Prof. Ass. Ardian Kastrati veçse është dënuar me datën 07.06.2021 nga Këshilli i Etikës, me rastin e ofendimit publik të Presidentes të Republikës, Vjosa Osmani. Këshilli i Etikës mes tre masave të vendosura ka përfshirë edhe: mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet për dy vite.

Kjo i bjen që Këshilli i Etikës është i bindur që mohimi i përfshirjes në mentorim është masë e lehtë ndëshkimore dhe si rrjedhojë ORCA konkludon që masa e shqiptuar në rastin e plagjiaturës, që konsiderohet shkelja më e rëndë akademike, është joproporcionale me shkeljen e konstatuar.

ORCA kërkon që konform me rregulloren për masa disiplinore në UP, Senati i Universitetit të Prishtinës të marr masën disiplinore “ndërprerje e marrëdhënies së punës”, dhe në të kundërtën minimalisht duhet të ja u tërheqin titujt akademikë të marrë përmes plagjiaturës konform me masën “ulje në thirrje akademike”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)