SBASHK kërkon që më 18 tetor të ajrosen e dezinfektohen shkollat
Prishtinë, 12 tetor - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK)përkrah propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të hënën e 18 tetorit mos të mbahet mësimi në shkollat e Kosovës, por ajo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e gjithë ambienteve shkollore me qëllim që të krijohen parakushtet për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor.
Ky propozim sipas SBASHK është i qëlluar ngase të dielën e 17 tetorit ambientet e shkollave do të përdorën për t’u zhvilluar zgjedhjet lokale dhe në ambientet e tyre do të kenë prani të shumë votuesve dhe ekziston frika e arsyeshme se virusi mund të vij dhe të mbetët në shkollë dhe të rrezikojë pastaj shëndetin e nxënësve dhe gjithë personelit të shkollës dhe kjo do të bënte që të kemi edhe cenim të procesit mësimor, i cili për momentin ka rrjedhë të mbarë.
SBASHK-u beson se edhe MASHTI do ta analizojë drejt çështjen dhe do të sjell vendim meritor lidhur me të hënën e 18 tetorit dhe do të mbështes Drejtoritë Arsimore që ato ta monitorojnë situatën dhe të kontribuojnë që shkollat të jenë të përgatitura e të sigurta për të vazhduar me procesin mësimor.