Nga sot hapen e çerdhet dhe kopshtet
MAShTI ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale për Arsim dhe institucionet parashkollore në vend që të zbatojnë me kujdes maksimal udhëzimet për masa mbrojtëse të IKShPK-së, OBSH-së dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare.
Po ashtu, MAShTI ka vënë në dispozicion të DKA-ve, institucioneve parashkollore dhe prindërve “Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-19” të hartuar nga UNICEF-i.
MAShTI u bën thirrje institucioneve parashkollore të cilat nuk janë të përgatitura sa u përket masave të sipërpërmendura se hapjen e çerdheve dhe kopshteve mund ta bëjnë ditëve në vijim, pasi të jenë siguruar se kanë bërë përgatitjet e duhura.
Në anën tjetër Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje të gjithë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet deri sa ti marrin vendimet zyrtare dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku janë të regjistruar fëmijët të lajmërojnë për funksionimin e plotë.
"Sot në konferencë për media të qeverisë u fol edhe për rihapjen e çerdheve dhe kopshteve për fëmijët e moshës 0-5 vjeç. U përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor. Po ashtu u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet. Por, ne si Komunë, nuk kemi marrë asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat", ka theksuar Komuna e Prishtinës.
Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje.