Myftiu Tërnava kërkon nga SBASHK të ndërpresin grevën
Myftiu Tërnava vlerësoi rolin e mësimdhënësve duke thënë se ajo është në premisat e misionit të shenjtë.
Ai u shpreh se mësuesit përgjatë gjithë historisë së shqiptarëve kanë luajtur rol të rëndësishëm duke qenë shtylla të themelimit të mëvetësisë.
Kreu i BIK-ut u shpreh se mbështesin të gjitha kërkesat e mësimdhënësve, por i kërkoi Sindikatës së Arsimit (SBAShK) që të ndërpresin grevën dhe nesër të fillojë mësimi.
“Ne mbështesim kërkesën e mësimdhënësve të Kosovës për pagë të dinjitetshme, ngase mësimdhënësit kanë mision të shenjtë, janë arsimuesit, edukuesit dhe pedagogët e fëmijëve tanë."
"Thërras SBAShK-un që për hir të misionit që bartin mbi vete, që sot ta ndërpresin grevën dhe që nesër fëmijët tanë të kthehen në bankat e shkollës, aty ku e kanë vendin”, tha Tërnava.
“Thërras sindikatën e shërbyesve civilë që të ndërpresë grevën, të kthehen në vendin e tyre të punës dhe institucionet publike e shtetërore të zhbllokohen e të jenë në funksion të qytetarëve, e të shtetit. Të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë përmes dialogut social duke pasur parasysh gjithnjë interesin e popullit tonë dhe vendit tonë”, vijoi Tërnava.
Myftiu apeloi të dy udhëheqësit e sindikatave që të tregohen të arsyeshëm, të urtë dhe situata të rikthehet normalitetit.
Po ashtu, myftiu Tërnava pati një apel edhe për shërbyesit civilë duke iu kërkuar edhe atyre që të nisin punën.