Mbi 1500 ligjërata virtuale nga e hëna në Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, 20 mars - Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga e hëna, ka filluar me mësim virtual për të gjithë studentët e tij, nëpërmjet platformave të “G Suite for Education”, në të cilën UP-ja ka qasje si institucion.
Në më pak se katër ditë, rreth 25 mijë përdorues janë qasur në ligjëratat virtuale të Universitetit të Prishtinës.
Më saktësisht, në periudhën 16 – 19 mars 2020, janë mbajtur 1529 ligjërata, duke dëshmuar interesim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të stafit dhe studentëve në mësim virtual. Kohëzgjatja e ligjëratave dhe oraret kanë qenë të njëjta, gjë që e bën këtë formë të komunikimit një mënyrë të suksesshme për vijim të mësimdhënies në kohën kur COVID-19 është shpallur pandemi dhe qeveria e vendit ka marrë vendim për mbyllje të institucioneve arsimore.
Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, deklaron që mësimi virtual është mënyra e duhur për të mos u distancuar nga mësimdhënia dhe mësimnxënia për stafin dhe studentët e UP-së, ndërkaq, i falënderon prorektorët përgjegjës, dekanët, stafin nga Zyra për Teknologji të Informacionit të UP-së për punën e bërë që mësimi të zhvillohet duke shfrytëzuar maksimalisht të gjitha potencialet e UP-së.
Dema, në veçanti, i falënderon studentët dhe profesorët që e kanë mbështetur këtë formë të mësimit, duke shfaqur bashkëpunim dhe vullnet të madh për tejkalim të situatës së pazakontë, në të cilën gjendet vendi.
Edhe studentët kanë deklaruar që mësimi virtual, ndonëse eksperiencë e re për ta, nga efektshmëria, nuk dallon nga ligjëratat e mbajtura deri me tani në klasa fizike.
Elsa Ademi, studente në Departamentin e Gjuhës Angleze, ka thënë se ajo dhe kolegët e saj janë në kontakt të vazhdueshëm me profesorët përmes platformave në dispozicion.
“Në këtë kohë pandemie, duke marrë parasysh se kontakti fizik nuk është në favorin tonë, mësimi virtual është zgjidhja më e mirë e mundshme për të kontribuar në vazhdimin normal të jetës dhe për të evituar humbjen që do të përjetonte secili nga ne duke qëndruar në shtëpi,” theksoi Elsa.
Ndërkaq, Lirik Veselaj, student i Fakultetit Juridik, tha që edhe pse në fillim ishte skeptik në efektivitetin e leksioneve online, ky lloj i leksioneve akademike po tregohet i suksesshëm. “Mendoj se kjo formë e pazakontë e studimeve neve studentëve na ka sensibilizuar për rëndësinë që ka puna në ekip dhe angazhimi i përbashkët social,” theksoi mes tjerash Liriku.
Mësimi virtual është lansuar nga e hëna për të gjithë stafin dhe studentët e UP-së. Përjashtim nga mësimi i obligueshëm bën stafi akademik i Fakultetit të Mjekësisë, i angazhuar me punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Institutin e Shërbimit Publik të Kosovës apo në qendrat tjera spitalore.
Universiteti i Prishtinës bënë thirrje që të respektohen me përpikëri vendimet mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës, duke pasur kujdes të shtuar drejt mbrojtjes së shëndetit të vetvetes, familjes dhe shoqërisë.