LVV as nuk ka synim dhe as nuk bën përpjekje për të dirigjuar organizmat universitarë
Prishtinë, 26 qershor - Pas zgjedhjeve studentore në Universitetin e Prishtinës u mbajt edhe mbledhja e Senatit ku u votuan 5 anëtarët e Këshillit Drejtues që vijnë nga vota e Senatorëve.
Shumëkush brenda dhe jashtë Universitetit kuptoi për rrjedhën e këtij procesi edhe nga raportimet, qëndrimet e kundërshtimet publike.
"Edhe ne në Lëvizjen Vetëvendosje kuptuam për procesin nga këto raportime. Dhe ndajmë shqetësimin e thellë me plot universitarë, studentë dhe qytetarë për gjendjen të cilën pasqyron ky proces", theksoi LVV.
Nuk gjenden shumë reagime të Lëvizjes Vetëvendosje! për punët e brendshme të Universitetit të Prishtinës ndër vite.
"Kjo ngase ne ndajmë besim se rezistenca ndaj zvetënimit të universitetit duhet të ngjajë nga brenda mjediseve universitare midis profesorëve e studentëve", thuhet me tutje në reagimin e LVV-së.
Aq më shumë që ky Universitet është shënjuesi i fortë i rezistencës intelektuale në historinë e universiteteve.
Edhe për ngjarjet e fundit LVV ndan shqetësimin por edhe shpresën se brenda universitetit ka aq vrull dhe kapacitet e energji për organizim ndaj çdo forme që cënon idenë e universitetit dhe jetën e brendshme të tij.
"Duam të njoftojmë opinionin publik se Lëvizja Vetëvendosje! as nuk ka si synim dhe as nuk bën përpjekje për të dirigjuar organizmat universitarë. E kundërta, ne "dirigjohemi" në plot fusha e çështje tonat nga mendimi universtar dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës."
"Sigurisht nga çfarë pamë, niveli i përfaqësuesve në organin drejtues të Universitetit nuk përkon as me nivel e shumicës aty as me pritjet që i kanë të gjithë për Universitetin".
"Ne as nuk qëndrojmë prapa e as mbështesim asnjë votim në Universitet, por po ashtu as nuk bëhemi pjesë e shkeljes së autonomisë e Universitetit", thotë LVV në reagimin e tyre.
Universiteti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë vend i rezistencës ndaj së padrejtës. Vend i dijes. Vend ku krahas profesionalizmit te studenti ushqehet edhe ndjenja e dashurisë dhe lirisë për vendin.
Fatkeqësisht gjatë njëzet viteve të shkuara Universiteti u bë i pushtetit. Filluan të banojnë aty edhe forma të ndryshme të korruptimit që kishin lidhje me partitë në pushtet.
Institucionet qendrore kanë dërguar 4 anëtarë, prej të cilëve 50% gra, me kredibilitet të lartë profesional dhe personal, që angazhohen çdo ditë për përmirësimin e gjendjes në Universitet. Kurse, ka shumë të ngjarë që anëtarët e tjerë, të votuar në senat, janë pjesë e asaj që është zhvilluar për më shumë se 20 vite në këtë Universitet.
Nëse Lëvizja Vetëvendosje!, apo qeverisja e saj mund "të kritikohet" në këtë pjesë, është vetëm për mosndërhyrje në autonominë e Universitetit.
"Siç e bëri të ditur edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, do të çlirohet secili institucion arsimor në vend, dhe universitetin do ta bëjmë vend të dijës dhe shkencës ku vlojnë diskutimet dhe idetë e nuk mësohet krimi e korrupsioni", nenvizon në fund LVV.