29 Mars 2023

Inaugurohet shkolla e re në fshatin Haxhaj të Gjilanit, kosto 140 mijë euro

Gjilan, 7 shkurt - Nxënësit e fshatrave Haxhaj, Selishtë e Demiraj, më nuk do të mësojnë në bodrumin e xhamisë, pasi sot është përuruar objekti i ri i shkollës fillore në fshatin Haxhaj të Gjilanit, i cili është ndërtuar me buxhetin komunal dhe me kosto prej 149 mijë euro.

Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, sikurse edhe mësimdhënësit e nxënësit e fshatrave Haxhaj, Selishtë dhe Demiraj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka uruar nxënësit e mësimdhënësit për hyrjen  në objekt të ri, ka falënderuar kryetarin e KBI’së, Naim Aliu, i cili nuk ka hezituar që ta lëshojë një pjesë të xhamisë për edukimin e nxënësve, në mungesë të objektit të tyre.

“Jam i lumtur që sot po e inaugurojmë objektin e ri të shkollës në Haxhaj, e cila ka qenë jetike për nxënësit e fshatrave Haxhaj, Demiraj e Selishtë. Në mesin e qindra projekteve që kemi realizuar në Grykën e Karadakut, për mua më i rëndësishmi është ky i shkollës. Urime nxënësve dhe mësimdhënësve. E gëzofshi”, ka thënë Haziri.

Kryetari i KBI’së, Naim Aliu, ka deklaruar se ky institucion çdo herë ka qenë i angazhuar për të mirën e qytetarëve.

“Të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës kanë qenë në funksion të institucioneve të Kosovës dhe jam shumë i kënaqur që xhamia në Haxhaj i ka ndihmuar nxënësve të këtyre lokaliteteve që të mos e humbin asnjë ditë mësimin”, ka thënë Aliu.

Drejtori i DKA’së, Nazim Gagica, e falënderoi kryetarin Haziri që arsimin e ka vënë si prioritet të parë të qeverisjes dhe kontributin permanent për të krijuar kushte më të mira për nxënësit.

Drejtori i shkollës në Haxhaj, Rrahman Agushi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen që dha në përfundimin e këtij projekti, duke thënë se kjo shkollë e ka munguar kësaj treve që një kohë të gjatë.

Kryetari i Këshillit të fshatit Haxhaj, Metush Dauti, ka thënë se kjo është ditë historike për ta, pasi me dekada e kanë pritur këtë objekt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Do të bëhet nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit trepalësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Federatës së Xhudos të Kosovës. (Qendra Nacionale të Xhudos në Pejë, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)