Fillon fushata për të ndihmuar studentët e Universitetit të Prishtinës
Prishtinë, 6 maj - Sot ka filluar fushata me qëllim ngritjen e fondeve që do të mundësojnë mbështetjen e studentëve të Universitetit të Prishtinës të cilët kanë synim fillimin e rrugëtimit të tyre në ndërmarrësi përmes Qendrës së Ndërmarrësisë dhe Inkubimit, VentureUp.
Kjo fushatë u mundësua falë biznesmenit dhe filantropit Shqiptaro-Amerikan, Ramiz Kukaj, pronar i restaurantit të mirënjohur në Nju Jork ‘Cka ka Qëllu’, i cili pranoi ftesën që t’i bashkohet kësaj iniciative duke e ditur nevojën e madhe që studentë e këtij Universiteti kanë për casje ndaj mundësive dhe resurseve për të krijuar një të ardhme të suksesshme për veten dhe vendin.
“Vazhdimisht themi se rinia është e ardhmja e Kosovës, mirëpo shpesh-herë e shohim se rinia po vazhdon të ballafaqohet vet me sfidat dhe problemet, dhe rrallë herë marrin ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme drejt suksesit. Jemi me fat të kemi një rini kaq aktive, ambicioze dhe kapacitet të arrijë majat botërore, dhe tash e kemi mundësinë konkrete t’u japim një ndihmë të vogël, por që do të thotë shumë për ta, për ndërmarrjet që do të krijojnë dhe pashmangshmërisht në zhvillim të vendit” u shpreh Kukaj.
VentureUp është Qendra e Ndërmarrësisë dhe Inkubatori i Universitetit të Prishtinës. Kjo qendër ofron mbështetje për ndërmarrës, mentorim dhe trajnim për studentët të cilët dëshirojnë të tranformojnë idetë e tyre në biznese reale, dhe organizata të vet-qëndrueshme.
Me fondet e ngritura, VentureUp synon të inkuboj 17 ndërmarrje të reja ‘startup’, me 51 ndërmarrës të rinj, të ofrojë trajnime online për 14 javë, të ofrojë 150 orë mentorim për studentët, si dhe 60 orë/muaj trajnime në Aftësi të Buta. Qëllim është që të aftësohen 4,800 të rinj deri në Shtator të 2020-së.
"I falenderohemi donatorëve, bashkëpunëtorëve dhe miqëve tanë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjët e Kosovës" theksoi Mentor Rexhepi, Drejtor Ekzektuiv i VentureUP