5 profesorë të kolegjeve private emërohen drejtues të Universiteteve publike

Prishtinë, 3 shkurt - Që nga ardhja e qeverisë së re, persona që punojnë në kolegje private janë emëruar në Këshillet Drejtuese të universiteteve publike në vendin tonë.
5 profesorë të cilët janë të angazhuar në Kolegje Private në Kosovë, janë emëruar nga Ministria e Arsimit që të kryejnë funksionet e tyre në Këshillet Drejtuese të universiteteve publike.
Profesorët:
1. Majlinda Belegu nga Kolegji AAB është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
2. Sevim Mustafa nga Kolegji AAB është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
3. Agron Hajdari nga IBCM është emëruar kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
4. Florian Qehaja nga Kolegji Universum është emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, dhe
5. Hazir Gashi nga Riinvest është emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Këshilli drejtues i një universiteti publik është organi më i rëndësishëm udhëheqës i atij institucioni. Anëtarët e Këshilleve Drejtuese kanë qasje në secilin informacion konfidencial të mundshëm të universiteteve publike, duke përfshirë planifikimet e mundshme për të konkurruar me të gjitha institucionet tjera të arsimit të lartë, publike apo private.
Vendosja në krye të universitetit, e njerëzve që paguhen nga institucionet konkurrente private të arsimit të lartë, është skandaloze, për më tepër dorëzim i qëllimshëm i interesit publik në duart e interesave private. Kjo është futje e “Kalit të Trojës” në universitetet publike në vend.
Mbi logjikën e tregut të lirë dhe konkurrencës, kolegjet private nuk janë aleat i universiteteve publike në vend, por kundërshtar të tyre. Ky veprim përbën konflikt të hapur të interesit, përmes të cilit punëtorë të kolegjeve private do ta drejtojnë universitetin publik i cili shihet si rivali kryesor i kolegjeve private në biznesin e tyre.
Kujtojmë se Kolegjet Private në vazhdimësi e rrezikojnë cilësinë e arsimit në vend, përmes skandaleve dhe aferave korruptive milionëshe tashmë të dëshmuara përmes hulumtimeve të shumta, siç kanë qenë skandalet me regjistrime të jashtëligjshme të studentëve apo mashtrimin e studentëve mbi vlefshmërinë e studimeve të tyre.
Komiteti i Kongresit të Aktivizmit Studentor, do të vazhdojë me aksione dhe mjete tjera demokratike ta sinjalizojë shoqërinë për vendime të tilla denigruese dhe në dëm të interesit publik.